Gjykatat kosovare edhe pse janë një hallkë e rëndësishme e vendit në luftimin e korrupsionit, si kusht për integrime evropiane dhe liberalizim të vizave, përveç shoqërisë civile dhe institucioneve tjera, janë kritikuar edhe nga zyrtarët e KPMM-së. Me gjithë punën dhe angazhimin e inspektorëve për të gjetur dhe mbyllur vendet e operuesve ilegalë, dhe ngritjes së kallëzimeve penale, mosveprimi i gjykatave, apo dënimet qesharake bëjnë që operuesit ilegalë të vazhdojnë punën.

Anëtari i Bordit të KPMM-së Azem Rexhaj, tregon se gjatë këtij viti, bashkë edhe me ministrinë e mjedisit edhe policinë e Kosovës janë konfiskuar 14 kamionë të operuesve ilegalë, si dhe 97 aktiviteteve ilegale iu janë vendosur shirita për ndalim të menjëhershëm të punës.

“Dhe nga kjo ka rezulto që KPMM ka dorëzua në prokurori 84 kallëzime penale kundër operuesve ilegalë. Këtu shihet se KPMM ka rrit angazhimin kundër operuesve ilegal, sepse në vitin e kaluar kishim 76 kallëzime penale kurse në vitin 2016 41 kallëzime penale”, tha Rexhaj.

Nga aktivitetet ilegale nxirret kryesisht zhavorri nga i cili ndërtohen rrugët nëpër Kosovë dhe për shkak të cilësisë së dobët, ato rrugë prishen shumë shpejt, thanë zyrtarët. Ndryshe, për vitin e ardhshëm pritet një investim serioz nga një kompani e huaj për shfrytëzimin e magnezitit në Komunën e Vushtrrisë, njoftoi drejtori Ramë Krasniqi.

“Ndërmarrja pretendon të investojë 7 milionë euro për pesë vite dhe t’i punësojë 150 punëtorë. Kryesisht është shfrytëzimi i magnezitit si resurs por edhe resurset e tjera që dalin në atë zonë, gjatë hapjes së minierës”, tha ai.

Gjatë vitit 2018 janë grumbullua mbi 25 milionë të hyra nga renta minerale, përkatësisht nga aktivitetet e shfrytëzimit të resurseve minerale./Telegrafi/