“Trepça” gjiganti metalurgjik dikur dhe sot

“Trepça” llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Në vitet e ’80, aty punonin mbi 20 mijë punëtorë. Ndërkaq, vitet e fundit, ajo e kaloi fazën e mbijetesës dhe nuk numëron më shumë se 1,300 punëtorë.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit. Kurse sot, nga aty nxirren jo më shumë se 150 mijë tonë xehe.

Kombinati metalurgjik “Trepça”, gjendet në komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

“Trepça”, sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.

Por, një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve janë të degraduara, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mungesës së investimeve, e madje edhe keqshfrytëzimit në të kaluarën.

Nisur nga i gjithë ky degradim i kombinatit që është bërë gjatë këtyre viteve të pasluftës, ekspertë të fushës, kishin vlerësuar se gjigantit i duhet kohë të rimëkëmbet, por se kjo mund të arrihet me një punë të madhe dhe me njerëz profesionistë.

Përveç aseteve në Kosovë, 31 prona të këtij kombinati gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu fabrika, zyra dhe objekte tjera.