Taksa 100% nuk i pakëson mallrat nga Serbia dhe Bosnja

Një muaj e gjysmë pas vendosjes së taksës doganore 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, tregu kosovar vazhdon mbetet mjaftueshëm i furnizuar me produkte nga këto vende.

Aktualisht, në tregun kosovar mund të gjenden të gjitha mallrat, nga Serbia e Bosnja, edhe pse importi nga këto dy vende, sipas autoriteteve përgjegjëse në Prishtinë, tashmë është ndërprerë gati në tërësi.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, por edhe në Odën Ekonomike dhe organizatën “Konsumatori”, thonë se gjatë kësaj periudhe nuk është vërejtur mungesë e asnjë produkti të Serbisë dhe Bosnjes

Në organizatën “Konsumatori” këtë gjendje e lidhin më shumë me, siç thuhet, mbi-importin para vendosjes së taksës apo edhe me kontrabandën, sesa me blerjet nga tregjet e reja.

Kreu i kësaj organizate, Selatin Kaçaniku, hedh dyshime se biznese të caktuara kanë qenë të informuara për taksën, para vendosjes së saj dhe kanë bërë mbi-import.

“Momentalisht, nuk po vërejmë mungesë të ndonjë produkti nga lista esenciale e artikujve, ose nga lista e gjerë dhe kjo më bën edhe të dyshoj që mos informata ka rrjedhur para aplikimit të taksës dhe dikush ka arritur që në treg të fusë më shumë prodhime të importit sesa që ka nevojë tregu. Unë besoj më shumë në mbi-import dhe në kontrabandë. Nuk po shohim produkte të reja në dyqane, prandaj nuk mund të them që Qeveria dhe bizneset kanë gjetur tregje të reja,” vlerëson Kaçaniku.

Shpërndaje këtë lajm në...