Shaban Krasniqi, kantautori i muzikës së rrënjëve tona, …

Nga Martin DEDAJ

Loading...

Shaban Krasniqi, kantautori i muzikës së rrënjëve tona, …

Profesor i gjuhës angleze dhe kantautor i muzikës së rrënjëve shqiptare prej shumë vitesh, janë dy profesione që e plotësojnë dhe i japin motiv në jetë kantautorit nga Vushtrria e Kosovës Shaban Krasniqi. Në personalitetin e tij dhe të shkrira ndërmjet tyre këto dy profesione alternohen dhe i shërbejnë mjaft mirë njëra-tjetrës. Por brenda misionarit të dijes, bardit dhe trashëguesit të muzikës me taban kombëtar, gjen të mishëruara edhe veprimtarin e spikatur shoqëror dhe sportistin e talentuar, familjarin model dhe mikun e mirë, të cilat përbëjnë si të thuash gjashtëkëndëshin e figurës së këtij njeriu të madh, brenda të cilit është vetë ai, që falë aftësive të tij përmasohet dhe rrezaton dinjitet, integritet, mirësi, dashuri, humanizëm, emancipim, patriotizëm, atdhedashuri, fisnikëri dhe çiltërsi, si dhe plot tipare të tjera, që mishërojnë tek Shabani, familjarin dhe atdhetarin e mirë dhe shembullin e njeriut që duhet marrë nga gjenerat e tanishme dhe ato të ardhshme.

Ky është në vija të përgjithshme Shaban Krasniqi, me të cilin pata nderin të njihem përmes “Mjeshtrit të Madh”, Mark Gjoka, së bashku edhe me një grup miqsh të tjerë nga Vushtrria si; Prof. Islam Qerimi, kantautorin Fazli Rashica, punonjësin e arsimit Gani Binaku, në fillimt të Nëntorit të këtij viti gjatë përgatitjeve të emisionit “Pasdite në vizion”, të televizionit shqiptar “Vizion Plus”, realizuar në Lezhë në nderim të dy figurave kombëtare heroit kombëtar Gjergj Kastrioti dhe poetit të madh At’ Gjergj Fishta dhe transmetuar më 09.11.2018. Bashkëbisedimi shumë miqësor që pata me Shabanin, më dha mundësinë të depërtoj sadopak brenda tij, e për ta njohur më në detaje intelektualin dhe këshilltarin komunal vizionar, atdhetarin dhe patriotin e caqeve të epërme, veprimtarin e palodhur shoqëror dhe misionarin e kudo ndodhur të dijes, tekstshkruesin, interpretuesin, muzikuesin dhe përcjellë

sin me shpirtin e madh të artistit të ashtit kombëtar, të atij arti ku kanë rrënjët këngët burimore shqiptare, të cilat kantautori Shaban Krasniqi, i ka më shumë se çdo gjë tjetër për zemër dhe me dashurinë shpirtërore dhe emocionale ja përcjell ato dëgjuesit të mbarë trojeve shqiptare.
Ai i lind më 03. 01. 1955 në Ceceli, Komuna e Vushtrrisë, Kosovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Vushtrri, ndërsa Fakultetin Filozofik, Dega e Gjuhës dhe letërsisë angleze në Prishtinë. Nga 1 Shtatori 1978 e deri në Janar 1999 punoi në QAMO, përkatesisht Gjimnazin “M. Bekteshi”. Nga 11 Janari deri me 20 Mars 1999 punoi si përkthyes për OSBE. Pas luftës, krahas punës si përkthyes në UNMIK deri më 31 Gusht 2005 dha mësim në gjimnaz (një kohë edhe pa pagesë). Gjatë punës në mësimdhënie u shqua për dashurinë e madhe dhe pasionin për punë edukativo-arsimore. Angazhimet më të mëdha bashkë me kolektivin shembullor të gjimnazit i pati pikërisht në kohët më të vështira të arsimit shqip në Kosovë, në vitet ‘1991-1999. Ku së bashku me shumë kolegë të punës si; Bedri Shytin, Sylejme Gogollin, Syzane Merovcin, Hazir Mehmetin, Selvete Shollën, Xhevahire Haxhiun, Hilmi Hajrën, Fahri Pllanën, Nasuf Ahmetin, Xhabir Hajradinajn, Musa Behramin, Tomor Pllanën, Bedri Tahirin, Sylejman Maxhunin etj, e nën udhëheqien e drejtorit Riza Bilalli, kishin organizuar më ‘1996 një kuitz shkollor, që ishte i përgatitur dhe realizuar në nivel shumë të lartë për rrethanat e atëhershme.
Krahas mësimdhënies sipas programit mësimor, bashkë me Bedri Shytin vazhduan me pasion në përcjelljen e punës në terren në cdo cep të komunës, ku mësimi detyrimisht organizohej jashtë objekteve shkollore, pasi pushtuesi i dëboi disa herë me dhunë nga shkolla. Ndërkohë që kolektivi i shkollës i kishte besuar rolin e koordinatorit të punës sëbashku me Ferat Perçukun . Ndjehet krenar që ka mbajtur testin e parë të gjuhës angleze në komunën e Vushtrrisë (për klasët e shtata fillore në gjithë komunën), ku dhe falenderon vëllezërit Hanefi e Fevzi Mjekiqi për shtypjen me printer të mbi 1000 kopjeve të testit! .
Me kërkesën e Entit Komunal Pedagogjik bashkë me kolegët Sylejme Gogoli dhe Hazir Mehmeti kanë kryer edhe punën e këshillëtarëve pedagogjik në komunë më 1994. Si dhe gjatë kohës që ka shërbyer në QAMO, përkatësisht Gjimnaz është zgjedhur nga kolektivi mësimdhënës, në detyra me rendësi si Kryetar i Sindikatës, Këshillit të shkollës etj.
Dinamizmi dhe shumëllojshmëria e veprimtarive që ai ka kryer e kanë shoqëruar në vijimësi përgjatë gjithë jetës së tij. Që në fëmijëri Shaban Krasniqi sëbashku me shokët e gjeneratës së tij; Ruzhdi Latifin, Avni Dallkun, Sali Gjyshincën, Shyqyri Ternaven, vëllezërit Vilanci etj, ishin ndër më të mirët në sportin e futbollit të vogël në Vushtrri, ku dhe spikatën dhe bënë emër në vitet ‘70, ‘80‚ ‘90. Për të vijuar më pas në rininë e tij, ku është marrë me sport dhe ka ushtruar; basketboll për KB “Llamkos” Vushtrri, si dhe hendboll. Për qenë më pas për disa vite pas lufte, si Kryetar i Bordit të Klubit të Basketbollit “Kosova“ nga Vushtrria, klub i cili për disa vite ka qenë antar i elitës së basketbollit të Kosovës. Ai ka qenë gjithashtu pjesëmarrës aktiv i shumë aktiviteteve në vitet 90-të. Kryetar i Aktivit të katërt të Lidhjes Demokratike të Kosovës për Dardaninë (1990-1996), Anëtar i Forumit të Intelektualëve të Vushtrrisë, Shoqatës për luftimin e analfabetizmit: “Motrat Qiriazi” në Vushtrri, etj.
Për mëse dy dekada, nga marsi i vitit 1996 e në vijim merret me aktivitete kulturore dhe artistike, ku shkruan, kompozon dhe këndon kengë të muzikës së lehtë dhe popullore. Arkiva e tij muzikore përbën më shumë se njëqind këngë, ku shumica e tyre apo 60-70%, janë me autorësi të tij dhe që janë promovuar në aktivitete të ndryshme muzikore, albume, dhe të publikuara në Youtube.
Angazhimet e para muzikore Shaban Krasniqi i pati në Shoqërinë Kulturore Artistike “Hasan Prishtina“, dhe më vonë në Shoqërinë Kulturore Artistike “Lutfi Musiqi“, të cilën e patën themeluar në gjimnaz, më 1996 bashkë me Ferat Mulin e disa kolegë të tjerë. Ai është i bindur se gjimnazi “Eqrem Çabej“ ishte kolektivi i punës me këngëtarë më të mirë në Kosovë. Nga viti ‘2000 është anëtar i rregullt i Ansamblit të Këngëve e Valleve “Hasan Prishtina“ të Vushtrrisë. Ai ka edituar deri më sot katër albume me këngë të ndryshme të titulluara: “Njëri-tjetrin ta çmoni” (2001); “Kur mbrëmja bie” (2004); “Vijnë vashat” (2010) dhe “Flamuri kombetar” realizuar në njeqindvjetorin e pavarësisë së Shqiperisë (2012). Pas këtyre katër albumeve ka realizuar dhe rreth njëzet këngë të tjera dhe ka bashkëpunuar dhe realizuar edhe komponime të Pranvera Badivukut, Naim Gjoshit, Hysni Klinakut, Arbër Krasniqit, Nashid Drejtes, Fazli Rashices etj. Si dhe vazhdon të jetë aktiv në krijimtari muzikore dhe artistike. Ai ka marrë pjsë në shumë festivale dhe veprimtari të ndryshme artistike, ku ka interpretuar larmi të ndryshme këngësh, si dhe është vlerësuar me shumë çmime.
Në Festivalin “Polifest 2004” interpretoi këngën e Vushtrisë me tekst të tij e muzikë të Pranvera Badivukut, si dhe mori pjesë në Festivalin ndërkombëtar “Përmeti 2003” me po të njejtën këngë. Ndërsa në vitet ‘2004, ‘2009 e ‘2015, bashkë me orkestrën e Ansamblit “Hasan Prishtina” në festivalin mbarëkombëtar “Gjirokastra”, ku ka interpretuar këngët: “Kur më del në derë”, “E kujtoj atë takim” dhe “Vushtrria”. Në “Zambaku i Prizrenit në vitet ‘2007, ‘2008, ‘2009 u paraqit me këngët sipas motiveve të poezisë së Lazgush Poradecit: “Vallja e luleve” e me muzikë të tij, pastaj “Me ju vjen e bukur pranvera“ me tekst të Milazim Sejdiut e muzikë të Pranvera Badivukut dhe “Kohë e shkuar” me tekst të Naim Frashërit e muzikë të Arbër Krasniqit, Lyrafest 2007 (me këngën “Qupëzë e bardhë” teksti i kombinuar Agolli, Cajupi, Noli, muzika vetë ai (Shaban Krasniqi).
Në dy edicione të tjera dhe konkretisht: – në Flakadani i Karadakut ‘2006 dhe Anadrinia ‘2008, me pjesëmarrjen dhe konkurimin e dhjetra Shoqërive Kulturore Artistike dhe shumë këngëtarëve, Shaban Krasniqi shpallet këngëtari më i mirë në interpretim “live”. Në muajn maj të vitit 2018, me mbeshtetjen e orkestrines popullore të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Hasan Prishtina” dhe Drejtorisë së Kultures, Rinisë e Sportit, realizoi koncertin e tij solistik. Në muajn Nëntor të këtij viti, që ai e quan muajn e shqiptarëve, ka patur një agjendë të ngjeshur artistike dhe paraqitje mjaft të sukseshme, siç e pati edhe për Krishtlindje dhe do ta ketë edhe për festën e ndërrimit të viteve.
Shaban Krasniqi është i martuar me zonjën Lirie e cila është shtëpiake dhe u është përkushtuar fëmijëve, me të cilën kanë katër fëmijë: dy djem dhe dy vajza dhe konkretisht: djali i madh Arbëri, vajza e madhe Arta, që janë profesorë të gjuhes angleze, djali i dytë Vullneti që është gazetar dhe më e vogla vajza Arba, që është 11-vjece. Tek të gjithë fëmijët ka kultivuar dashurinë për muzikën, të cilët e duan shumë dhe kanë filluar të performojnë me interpretimet e tyre muzikore.
Manifestimet për Festën e Ditës së Flamurit thotë ndër të tjera ai “Për mua, përherë kanë qenë angazhimet më të mëdha dhe festat më kuptimplota. Këtë festë të madhe e shënonim edhe në kohë të rënda okupimi, shpesh edhe të përndjekur nga policia serbe. Në planin personal, mbase edhe mund të merret si mungese modestie, por besoj se jam ndër të paktit këngëtarë shqiptarë, që kam të inçizuara dhe të publikuara këngë origjinale kushtuar Flamurit kombëtar! Festat e fundvitit janë gëzim ngado! Edhe unë i përjetoj si të tilla…Ajo që më ngazëllen shumë është fakti se, për festën e kërshëndellave dhe vitit të ri në Prishtinë, në të kaluarën dhe sot, në festë janë bashkë me mijëra shqiptarë, pa dallim feje! Viti 2018 për mua mbetet i paharrueshëm, pasi me miqtë e mi te çmuar, kantautorin Fazli Rashica e Prof. Dr. Islam Qerimi u takuam dhe si të thuash krijuam raporte vëllazërore me të madhin Mark Gjoka, si dhe me zotërinjtë e nderuar; Ardian Laçi, Paulin Zefi, Altin Prenga, Tereze Gega, Gjovalin Ndreca, Jak Rrozhani, Pal Dedgjonaj dhe padyshim edhe me ju zotni Martini, e plot miq dhe shumë personalitete të mrekullueshme! Tanimë Lezha për mua është qyteti i zemrës sime!
Shaban Krasniqi është njëri prej atyrë njerëzëve me fat, që dy herë radhazi ka përjetuar dy jubile të artë të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeun; – 500-vjetorin e vdekjes dhe tani 550 – vjetorin. Ai kujton se në 500-vjetorin ka qenë fëmijë në moshën 13 vjeç, ku një trupë shumë e mirë teatrale e Shqipërisë erdhi në Vushtrinë time dhe shfaqi “Trimi i mirë me shokë shumë”. Dhe tani në këtë 550-vjetor unë vij këtu në Lezhë, ku së bashku me shumë miq të tjerë të ftuar realizuam atë emision të bukur televiziv.
Teksa shpreh konsideratën e tij në lidhje me zhvillimet muzikore të kohëve të sotme, kanau tori Shaban Krasniqi shprehet se: “Nga brezi që ka prekur dhe kultivuar muzikën e mirë, dhe kantautorë të ndryshëm përfshi edhe vetë Shabanin, përmendet fakti se jemi në një moment me treg të vështirë muzikor dhe kautik, ku muzika është kthyer në biznes. Pavarësisht kësaj gjendje në të cilën ndodhemi deomos që duhet pak më shumë punë për të ruajtur traditat më të mira, në muzikë dhe në ritme. Për situatën e krijuar priremi që fajin gjithmonë ta kërkojmë tek të tjerët. Natyrisht edhe ne kemi sadopak faj, por fajin më të madh e kanë mediat të cilat promovojnë dhe në mënyrë të verbërt përkrahin antivlerat të cilat fatkeqësiht kanë vërshuar gjithëanedej në të gjitha trojet shqiptare. Pavarësisht nga kjo ne përpiqemi që ta mbajmë atë tabanin e traditës si në veshjen tradicionale e cila është veshje e Shalës së Bajgorës, regjioni i Mitrovicës, që kryesisht identifikohet me këtë veshje, ashtu edhe në këngët dhe motivet e tyre dhe nuk i kemi lejuar vetes të hyjmë në ato ujrat e turbullta dhe së bashku me kolegun dhe kantautorin Fazli Rashica, po punojmë për të përgatitur një emision për Radio-Televizionin e Kosovës, me titull: “Rrënjët tona”, në të cilin përfshihen 15-16 edicione me muzikën e mirëfilltë burimore kosovare, dhe që synon promovimin dhe përhapjen e kësaj muzike të të parëve tanë e cila duhet të ruhet dhe trashëgohet brez pas brezi, e pastër dhe autoktone ashtu siç ajo ka rrënjët e saj, të ngulitura thellë në popullin prej nga rrjedh dhe mbartet”.

Fund Dhjetori 2018